Lajme

“Të tronditur thellë…”/ Gruaja që u vra nga bashkëshorti në Pejë ishte punëtore shëndetësore në QKMF

Një rast tragjik ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm, ku një burrë dyshohet se e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, duke e qëlluar me armë. Sinjali raportoi ekskluzivisht se burri që dyshohet se vrau gruan është Edmond Lajqi, 43-vjeçar, i cili tashmë është prangosur.

Kjo ngjarje që tronditi Pejën dyshohet se ndodhi në banesën e çiftit. Sinjali ka mësuar se Lajqi u dorëzua vet në Polici dhe raportoi për krimin ndaj bashkëshortes, Gjyljeta Ukella.

Kjo e fundit ishte punëtore shëndetësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pejë.

Nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, kanë reaguar për këtë lajm të hidhur.

Në njoftimin e tyre thuhet se e ndjera shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë,punëntores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella.

E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe dhe urtësinë që e ka karakterizu përsonalitetin e Gjyljetes.”

Ndryshe, burimet e Sinjalit kanë bërë me dije tutje se i dyshuari për vrasjen e gruas, ka të kaluar kriminale.

Po ashtu, sipas informacioneve të para, çifti dyshohet se kanë pasur raste të dhunës në familje në të kaluarën, që janë raportuar te organet e rendit.

Për rastin ka folur edhe e zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi

“Kryeprokurorit dhje Prokurori i krimeve të rënda së bashku me të gjitha njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se bashkëshorti e ka vrarë gruan e tij. I dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar arma, ndërsa në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha hetimet e nevojshme. Jemi në pritje të ekipit të mjekësisë ligjore për të marrë trupin e pajetë”, ka thënë Nikçi për Sinjalin.

Lidhur me rastin, kanë folur edhe nga Policia.

Zëdhënësi Driton Rugova, tha ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton”.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugen Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjës gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilet kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, tha Rugova.