Lajme

Të shtënat me armë në Gjakovë: Zbulohet kush është i dyshuari, arrestohet nga Policia

Mbrëmë u raportua për të shtëna me armë zjarri në qytetin e Gjakovës, ku në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ dikush dyshohet se gjuajti me armë për motive ende të panjohura dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Raportimi i rastit aktivizoi Policinë, me ç’rast tashmë i dyshuari është identifikuar nga hetuesit policorë.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se pas nisjes së hetimeve, u zbulua se bëhet fjalë për D.M., i cili po dyshohet se ka shkrepur armën, duke shkaktuar kështu rrezik për qytetarët përreth. Pasi i njëjti është arrestuar, Policia e ka shoqëruar në stacion, ku ka dhënë deklaratë për atë që kishte ndodhur.

Me rastin e kontrollit policor, është gjetur edhe arma, të cilën dyshohet se e ka përdorur në këtë rast. Ndërkohë, Sinjali mëson se Policia ka marrë deklaratë edhe nga një dëshmitar, që ishte në vendin e ngjarjes kur u dëgjuan të shtënat.

Kujtojmë se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes në momentin kur është denoncuar rasti, ku kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.