Të shtënat me armë afër brezit kufitar me Serbinë, këta janë tre të arrestuarit në Podujevë
Pasditen e së premtes, në fshatin Tashevc të Podujevës, janë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, me ç’rast u arrestuan tre persona që dyshohet se shkaktuar rrezik të përgjithshëm. Policia njoftoi vetëm për rastin e gjuajtjes me armë dhe arrestimin e personave të dyshuar, pa dhënë detaje të tjera, ndërkohë që Sinjali ka mësuar se rasti ka ndodhur shumë afër brezit kufitar me Serbinë.
Sinjali mëson të dyshuarit kanë shtënë tetë herë me armë dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes, por lirinë nuk e shijuan gjatë, pasi Polici arriti t’i kap.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Qëndrim Kosumin, Selami Halilin, si dhe një person tjetër, i moshës së mitur.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, disa zyrtarë të Policisë Kufitare kanë kërkuar asistencë pasi kanë dhënë informacionin se kanë dëgjuar të shtënat me armë, në afërsi të kufirit me Serbinë.
Posa njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë gjetur gëzhojat dhe më pas janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, që kanë çuar në identifikimin e tre të dyshuarve.
Pasi është lokalizuar vendndodhja e tyre, të njëjtit janë ndaluar dhe kontrolluar, me ç’rast janë gjetur dy armë zjarri, që u konfiskuan nga Policia.
Me t’u përfunduar procedurat policore, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Fsh. Tashevc, Podujevë /29.09.2023-16:00. Pas disa të shtënave me armë zjarri, policia në vendin e ngjarjes kanë gjetur tetë gëzhoja ndërsa nga tre të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me 31 copë fishekë. Tre të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.