Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dy plumba godasin xhamin e një shtëpie
Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Hys Popova’ në Prishtinë, ku persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri.
Sinjali mëson se një grua ka denoncuar rastin në Polici, e cila ka deklaruar se rreth orës 02:00 ka dëgjuar të shtënat, mirëpo nuk kishte guxuar që të dalë jashtë për të parë se çfarë po ndodhte. Mëngjesin e sotëm ajo kishte vërejtur se një xham i shtëpisë ishte dëmtuar nga goditjet e plumbave.
E gëzhojat që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast, u gjetën nga një dëshmitar dhe të njëjtit më pas u sekuestruan nga Policia në cilësinë e provave materiale.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.