Lajme

Të shtëna me armë nga vetura në lëvizje në Dobërllukë – Policia konfiskon gëzhojat, ky është i dyshuari në kërkim

Një ngjarje e rrezikshme ka ndodhur mbrëmjen e 7 qershorit në fshatin Dobërllukë, ku është raportuar për të shtëna me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, duke shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët.

Sipas burimeve të besueshme të Sinjalit, rreth orës 23:30, Policia ka pranuar një informacion për të shtëna në rrugën “Shaban Merovci”, në afërsi të një lokali.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me një dëshmitar, i cili ka deklaruar se derisa po qëndronte me disa miq pranë lokalit, kishte vërejtur dy vetura – një Volkswagen Passat dhe një Audi A3, të dyja ngjyrë e zezë – dhe dyshon se nga njera prej tyre janë shkrepur të shtëna me armë zjarri.

Të dyja veturat më pas janë larguar në drejtim të magjistrales.


Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e krimteknikës, e cila ka kryer vendshiqimin dhe ka konfiskuar dy gëzhoja të kalibrit 9×19 mm.

Pas veprimeve hetimore fillestare dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast penal me këto vepra: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”.

Personi i dyshuar për këtë rast është identifikuar si Nazmi Poterqoi, rreth 52-vjeçar, dhe ndaj tij janë ndërmarrë procedurat për hetim penal.

Hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të përfshirëve të tjerë.