Sulmohet një ekip i KFOR-it në Zubin-Potok
KFOR-i ka dhënë detaje lidhur me sulmin në veri ndaj një patrulle të tij.
Në një përgjigje për KOHËN, KFOR-iu ka thënë se afër një patrulle të tij ka pasur të shtëna.
Tutje ka konfirmuar se nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale.
“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje.
Aktuale 22:50 – Policia e Kosovës thotë se nuk shkëmbeu zjarr në Zubin-Potok ndaj askujt
Policia e Kosovës ka dalë me reagim pas raportimeve për sulm ndaj një ekipi të KFOR-it në Zubin-Potok.
Në një përgjigje për KOHËN, Policia i tha KOHËS të dielën mbrëma se nuk ka pasur shkëmbime zjarri “mes Policisë së Kosovës apo ndonjë grupi”.
“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, tha zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Një ekip i KFOR-it është sulmuar në Zubin-Potok të dielën në mbrëmje, ka mësuar KOHA nga disa burime.
Nuk është raportuar për të lënduar.
Nuk dihet se me çfarë janë sulmuar, porse KOHA është duke pritur përgjigje nga Policia.
Pjesëtarët e KFOR-it të cilët raportohet se janë sulmuar janë nga Letonia.
Të dielën janë bërë 16 ditë që nga vendosja e barrikadave në veri nga serbët lokalë, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq.
Qeveria ka thënë se janë në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave. Në anën tjetër, KFOR-i ka thënë se barrikadat duhet të hiqen me dialog.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të bisedojë me komandantin e KFOR-it pas festës së Krishtlindjes.
Mediumet serbe po raportojnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar me kryeministren Ana Bërnabiq dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq. Takimi ka ardhur pasi siç pretendojnë mediumet serbe, të shtëna ka pasur “mes Policisë Speciale të Kosovës dhe serbëve që po qëndrojnë në barrikada”.