Sulmohet fizikisht një mjek në Gjilan, prindi i një fëmije e akuzon për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor
Punëtorët shëndetësorë jo rrallëherë kanë qenë cak i sulmeve e kërcënimeve nga pacientët e familjarët e tyre të cilët shpeshherë i kanë akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Raste të tilla janë raportuar jo vetëm në spitale private, por edhe në ato publike. Veprimet të tilla përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Një dënim i tillë siç duket i pret edhe dy qytetarë nga Gjilani, të cilët kanë përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet se kanë kryer veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Ata po dyshohen se kanë sulmuar një mjek, në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, duke e grushtuar të njëjtin, derisa ishte jashtë detyrës, në një kafene në atë zonë. Motivi i sulmit ndaj viktimës, sipas burimeve nga Prokuroria janë dyshimet se mjeku e ka keqtrajtuar fëmijën e njërit prej të dyshuarve.
Akuzat se mjeku e ka maltretuar fëmijën e të dyshuarit, derisa po e trajtonte e ka bërë babain e tij që bashkë me një person tjetër ta sulmojnë fizikisht, për çka përfunduan në pranga të Policisë. Sinjali mëson se posa rasti është denoncuar, njësitet policore i kanë arrestuar dy personat e dyshuar.
Posa të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rasatin, teksa një version të ngjarjes e ka dhënë edhe mjeku, që është viktimë e këtij rasti. Me t’u përfunduar të gjitha procedurat, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e dy të dyshuarve, teksa ka urdhëruar nisjen e hetimeve që zbardhin rrethanat e ngjarjes.