Sulmohet brutalisht një 30 vjeçar në Prishtinë, dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK
Një shtetas i Bullgarisë ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës mbrëmë, pasi i njëjti dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një person i panjohur, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës bëjnë me dije se 30-vjeçari është dërguar atje me lëndime të rënda trupore, si pasojë e sulmit dhe i njëjti ndodhet nën përkujdesjen e mjekëve.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Sinjali mëson se për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet i riu, ka qenë e pamundur të merret dëshmia e tij lidhur me rastin, teksa nuk dihet as vendi i saktë se ku ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.