Sulmi në Banjskë, KFOR-i furnizohet me armatim të “fuqisë luftarake”
Një komandant i lartë i NATO-s deklaroi të martën se aleanca veriatlantike e pajisi forcën e saj paqeruajtëse në Kosovë, KFOR-in, me armë të “fuqisë luftarake” pas sulmit terrorist nga grupi i udhëhequr prej Milan Radoiçiq në Banjskë të Zveçanit.
Admirali Stuart B. Munsch i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli të Italisë tha se një batalion prej rreth 200 trupash nga Mbretëria e Bashkuar dhe 100 të tjerë nga Rumania “po sjell armatim më të rëndë në mënyrë që të ketë fuqi luftarake për KFOR-in”, raporton Associated Press, përcjell Gazeta Insajderi.
Munsch shtoi se NATO ishte gati të shtonte municionin ushtarak dhe numrin e trupave, me qëllim të ruajtjes së paqes në Kosovë.
“NATO po vazhdon të ketë forca të mëtejshme të pajisura me armatim edhe më të rëndë të aftë për fuqi të mëtejshme luftarake në një gjendje të lartë gatishmërie, që mund të vendoset nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, tha ai.
Komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia tha se KFOR-i mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit.