Sulmi ndaj Policisë, Kurti: Agresionit të Serbisë do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi, Republika e Kosovës do të fitojë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku mes të tjerave ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes grupeve kriminale dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pasi këta të fundit u sulmuan me armë.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Serbia dëshiron kthim në kohën e Millosheviqit dhe që çështja e Koosvës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.
Ai u shpreh se Kosova nuk dëshiron konflikt, por paqe e progres. Mirëpo sipas Kurtit, Kosova do t’i përgjigjet agresionit me gjithë fuqinë që ka.
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.
“Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, ka shkruar kreu i ekzekutivit, duke potencuar se çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Në fund, Kurti ka kërkuar që barrikadat e kriminelëve me maska në veri të largohen menjëherë.
“Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”.