Sulm i ri masiv në Serbi, të paktën tetë të vdekur
Të paktën tetë persona janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur në sulmin e dytë masiv në Serbi brenda dy ditëve.
Raportohet se sulmuesi i dyshuar shkrepi një armë automatike nga një veturë në lëvizje afër një fshati 60 kilometra në jug të Beogradit.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara, sulmuesi është ende në arrati, raporton televizioni BBC.
Të premten në mëngjes, mediet serbe thanë se forcat speciale të policisë arritën në fshatrat Mladenovac dhe Dubona, ku ndodhën vrasjet e reja.
Në fotografi shihen policët duke kontrolluar vetura në pika kontrolli, përderisa autoritetet po mundoheshin që ta lokalizonin sulmuesin. Policia përdori një helikopter, dronë e shumë patrulla përreth Dubonës.
Në raportimet e medieve lokale thuhet se një burrë 20-vjeçar filloi t’i qëllonte njerëzit me një armë automatike, pasi pati një zënkë me një polic në një park në Dubona të enjten në mbrëmje.
Thuhet se ai pastaj filloi t’i qëllonte njerëzit nga një veturë, duke vrarë të paktën tetë persona.
Ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujicic, dhe shefi i Agjencisë së Inteligjencës, Aleksandar Vulin, raportohet se shkuan në vendin e ngjarjes të premten herët.