Lajme

Stuhia që ka përfshirë rajonin pritet ta godasë edhe Kosovën

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se për sot parashihet mot me diell por me rënie të lehta të vlerave të temperaturave maksimale.

Minimalet do të lëvizin ndërmjet 14-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-36 gradë Celsius

Ky mot me këto temperatura ekstreme të larta është si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.

Shkalla e lartë e avullimeve do të krijojë vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë se sa vlerat e lartshënuara.

IHK bën thirrje për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve të nxehta.

Ndërkaq, një stuhi e fuqishme përcjellë me shtrëngata ka goditur vendet e rajonit, Kroacinë, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Profesori i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, në një prononcim për Telegrafin, ka bërë të ditur se edhe Kosova pritet të përfshihet nga një mot i ngjashëm, por pa të reshura dhe me intensitet më të ulet.

“Stuhia, në formë tornadoje që ka përfshirë vendet përreth, nga nesër pritet ta preke dhe vendin tonë, por me intensitet më të ulët dhe pa reshje shiu”, tha Tahirsylaj.

Sipas tij, rajoni i Dukagjinit do të jetë si “epiqendra”, e stuhisë në formë të tornados.

Ndërkaq, kjo thekson ai, mund të dëmtojë kulturat bujqësore.

Tahirsylaj nuk përjashton mundësinë për reshje të dobëta lokale dhe ndonjë shkarkesë elektrike.