KryesoreLajme

“Studente të dalluara, lanë në gjysmë ëndrrën…” reagimi i universitetit ku studionin dy vajzat e aksidentuara

Universiteti i Gjilanit ka shprehur ngushëllime për dy studentet që vdiqën në aksident trafiku, Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi. Fillimisht, aksidenti u raportua si vetaksident, por pas analizimit të kamerave të sigurisë nga policia, u zbulua se ky ishte një aksident i përfshirë mes një automjeti dhe një kamioni.

Nga Universiteti i Gjilanit “Haxhi Zeka”, thanë në reagim se të dy vajzat kanë qenë studente të dalluara.

“E nderuar Familje Basha, Familje Thaqi,Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të studenteve të Fakultetit të Edukimit, Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi.Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ndan dhimbjen me familjet tuaja, të afërmit, kolegët dhe miqtë për këtë humbje të rëndë dhe të parakohshme. Arbnora Basha, studente e dalluar dhe Kryetare e Këshillit të Fakultetit të Edukimit, la pas vetes një trashëgimi të angazhimit, përkushtimit dhe shembullit të një studenteje të përkushtuar. Po ashtu, humbja e Antiana Thaqit ka lënë një boshllëk të madh në mesin e komunitetit akademik dhe kolegëve të saj”, thuhet në reagim.

Tutje, në telegramin e ngushëllimit thuhet se janë të prekur rëndë nga kjo humbje.

“Arbnora dhe Antiana do të mbeten në mendjen dhe kujtesën tonë, si vajza të zgjuar dhe studente të dalluara, me të gjitha tiparet.

Kjo humbje e madhe, la në gjysmë ëndrrën e tyre për rrugëtimin që kishin nisur.

Kjo tragjedi e rëndë na ka prekur të gjithëve dhe na ka lënë pa fjalë. Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje për kontributin dhe ëndrrat e tyre të papërmbushura.

Në emër të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe në emrin tim personal, ju përcjellim ngushëllimet dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira.

Ju lutem t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta.

Me respekt”, thuhet aty.