Lajme

Skender Bajramit të A.S. “Alberti” iu sekuestrua një revole, 57 fishekë, telefoni dhe një dosje e shitjes (Dokument)

Operacioni policor kundër fajdes i zhvilluar më 2 mars në disa qytete të vendit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda rezultoi me arrestimin e 15 personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Pronarët e auto salloneve e kompanive të tjera, që u arrestuan po dyshohen për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij aksioni, u konfiskuan disa vetura, 83 955 euro, armë e prova të tjera.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Rasim Maloku, më 8 mars 20203 ka bërë kërkesë për ‘urdhër ndalues përfundimtar për sekuestrimin e provave, pasurisë së specializuar në urdhërin e Gjykatës’.

Veriu.info ka siguruar kërkesën e prokurorit Rasim Maloku të bërë Gjykatës Themelore në Ferizaj, në çështjen penale ndaj të pandehurve: Kadri Gërbeshi, Egzon Salihu, Besnik Salihu, Skender Bajrami, Ibrahim Gërbeshi, Fatmir Gërbeshi, Fitim Vershevci, Nexhmi Abazi, Ilir Vershevci, Ajvaz Muzaqi, Bahri Abazi, Lindrit Haradinaj, Shukri Haxhiu, Shefik Rexhepi, Fadil Salihu, Arsi Saraqi, Bashkim Osmani, Mujë Ademi dhe Ramiz Ademi.

Në kërkesën e siguruar nga Veriu.info, në mesin e provave tjera shihet se prokurori Rasim Maloku i ka propozuar gjykatës të urdhëroj masë të përkohëshme për sigurimin e pasurisë së specifikuar.

Siç shihet në dokumentin e siguruar nga Veriu.info gjatë aksionit kundër fajdes, detyrimit e shmangies nga tatimi, të pendehurve iu kanë sekuestruar automjete, mjete elektronike, armë e para.

Në mesin e të arrestuarve në këtë aksion ishte edhe Skender Bajrami – pronar i Auto Sallon “Alberti”, i cili pas aksionit tha se është i sëmurë dhe ishte shtrirë në QKUK për trajtim, aty edhe ku u mbajt seanca dëgjimore ndaj tij, ku edhe u vendos të që ndaj tij mos të aprovohet masa e paraburgimit, por vetëm një masë e veçantë që ia ndalon atij t’iu afrohet të dëmtuarve Xhavit Shala, Samir Bajrami, Salih Sinani, si dhe të bashkëakuzuarve në distancë prej 50 metra.

Por Skender Bajrami e mori vetën shpejt dhe pas lirimit nga arresti, ai mori pjesë në hapjen solemne të Qendrës Tregtare “Prishtina Mall”, ku është aksionar me 17 milionë euro (10%). Pjesë e ceremonisë së hapjes së kësaj qendre, bashkë me të arrestuarit për dyshimin e dhënies së fajdes në tri raste, ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në kërkesën e prokurorit bëhet e ditur se të pandehurit Skender Bajrami i janë sekuestruar:

a) Telefon IPHONE 13 ProMax
b) Revole Sig Sauer me 2 karikator
c) 57 fishekë
d) Sënduk i armës
e) Dosja e shitjes Fat. 71/22.

VIJON: Veriu.info do të publikojë për secilin prej të pandehurve gjitha mjetet e tjera të sekuestruara, si: armë, mjete elektronike, dokumentacion, etj.