Lajme

Sindikata e Policisë kërkesë për Qeverinë, KFOR-in dhe EULEX-in që t’u dalin krah policëve të bllokuar

Organi më i lartë sindikal në Kosovë, BSPK, përmes një komunikate i ka kërkuar të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare të ju ndihmojnë policëve të bllokuar.

Nga e shtuna, 10 dhjetor 2022, në vendkalimin kufitar Jarinje, policët janë duke vepruar e kryer detyrat në kushte tejet të vështira, pa ushqimet e duhura dhe pa mjetet e duhura higjeno-teknike.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i tej shqetësuar për situatën ne veri të vendit e sidomos për gjendjen e policëve të bllokuar që nga e shtuna, 10 dhjetor 2022, në vendkalimin kufitar Jarinje të cilët janë duke vepruar e kryer detyrat në kushte tejet të vështira, pa ushqimet e duhura dhe pa mjetet e duhura higjeno-teknike, kërkon nga Qeveria, KFOR-i dhe EULEX-i që t’u dalë krah”.

“Veprimet ekstremisht të papranueshme të grupeve kundërqytetare e antidemokratike të prishësve të rendit dhe të qetësisë e pengueseve të punës së policisë duhen ndaluar sa më parë dhe për këtë shpresojmë që Qeveria në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in do t’ia dalë ta kthejë rendin dhe ta sjellë qetësinë, e policëve të bllokuar t’ua mundësojë kryerjen e detyrës”.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që veprimi i duhur i Qeverisë në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in do të zhbllokojë rrugët që policët tanë po edhe qytetarët tanë të mund të lëvizin lirshëm”