Si ndodhi gjithçka në pikë të mëngjesit?Arrestohet një grua 33-vjeçare për vjedhjen në banesën e ministres Hajdari
Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka qenë cak i vjedhjes në orët e mëngjesit të së dielës, në banesën e saj në rrugën “Vicianum” në Prishtinë. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet pas denoncimit të ministres, ndërkohë që Sinjali ka publikuar të gjitha detajet që dihen deri më tani.
Së fundmi, Policia ka konfirmuar për Sinjalin se është arrestuar një grua 33-vjeçare me inicialet N.K. e cila dyshohet se ka lidhje me vjedhjen.
“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar për një rast vjedhje e rëndë që është raportuar me datën 01.10.2023.
Puna e hetuesve policor, është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarën: – N.K. femër, 33 vjeçare, shtetase e Republikës së Kosovës.
E dyshuara me vendim prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit e stacionit policor po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, konfirmoi për Sinjalin zëdhënësja e policisë Rajonale të Prishtinës, Florie Ahmeti.
Si ndodhi gjithçka në pikë të mëngjesit?
Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se vjedhja dyshohet se është kryer rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur një personi i dyshuar ishte futur në banesën e ministres dhe ua vuri syrin gjësendeve me vlerë e dokumenteve të Hajdarit.
Ndonëse nuk dihet se si arriti të futej në banesë, nëse dera ishte e hapur apo hajni posedonte çelës të banesës, i dyshuari teksa po kryente vjedhjen ia “prishi” gjumin ministres dhe e njëjta e kapi në flagrancë, raporton Sinjali.
Por Hajdari nuk arriti ta ndalojë, pasi hajni u zhduk para syve të saj, bashkë me stolitë në vlerë të rreth 2500 eurove, që dyshohet se hajni arriti t’i gjejë në banesën e saj.
Sipas të njëjtave burime, përveç stolive të vjedhura, në dëshminë që ministrja ka dhënë para hetuesve policorë, kuptohet se hajduti ia ka vjedhur edhe disa dokumente personale, që përfshijnë kartela bankare – madje edhe të MINT.
Raportimi i rastit vuri në lëvizje njësitë përkatëse, që kryen ekzaminimet e nevojshme në banesën e Hajdarit dhe pas dhënies edhe të deklaratës së saj, është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit.
Me vendim të tij, është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.