Si i ishte vjedhur kosovarit vetura “Range Rover”, të cilën e përdorën autorët e vrasjes në Top Channel
Vetura “Range Rover” me të cilën u sulmua Top Channel, dyshohet se i takon kosovarit, Ramadan Makolli.
Makolli në një prononcim për arbresh.info ka deklaruar se kjo veturë në vitin 2020 i është vjedhur nga rojtari i sigurisë, në një hotel të Shëngjinit ku ai po qëndronte.
“Unë i kam pa lajmet që vetura ka qenë me targa të huaja në momentin kur është gjetë e djegur pas sulmit që ka ndodhë mbrëmë. Ato targa nuk e di kur ia kanë qitë, që po më duket kanë qenë angleze, por, mu kur ma kanë vjedhë veturën para tre vjetëve, targat e saj kanë qenë 01, pra, të Kosovës”, ka thënë Makolli.
Më 10 korrik të vitit 2020, Makolli kishte thënë se e kishte prerë në besë pronari i hotelit ku po qëndronte.
Sipas tij, ai e kishte bërë të ndjehej komod duke i ofruar edhe kamera të sigurisë në hotel dhe rojtar, por që më pas ia vodhën veturën.
“Range Rover” është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave.
Në makinë ndodheshin dy armë kallashnikovë, me të cilat autorët ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt godinës së televizionit kombëtar.
Sulmi i rëndë ndaj Top Channel ndodhi pak pas mesnate. Rreth orës 01:00 autorët kanë qëlluar me kallashnikov nga makina në drejtim të godinës. Viktimë e sulmit mbeti roja e sigurisë, Pal Kola 60 vjeç