Lajme

Shoferi i një taxi kapet me dy thika në Prishtinë, nga kompania thonë se ato i përkisnin pasagjerit

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Cak i kontrollit të Policisë mesnatën e së mërkurës ishte edhe vetura e kompanisë ‘Gutu Taxi’, ku u gjetën gjësende të kundërligjshme, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit në veturën ku ndodheshin shoferi dhe tre pasagjerë, janë gjetur dy thika.

Sipas burimeve të Sinjalit, këto thika ishin në pronësi të shoferit të taksisë, i cili njëherit është edhe djali i pronarit të kompanisë. Ndërsa te pasagjeri që ndodhej në veturë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin, teksa dëshminë e kanë dhënë në cilësinë e dëshmitareve edhe dy pasagjeret që ndodheshin në veturë.

Në pamundësi për të kontaktuar me shoferin e taksisë, Granit Simnica, Sinjali ka biseduar mëngjesin e sotëm me vëllain e tij, i cili ka mohuar që mjetet e mprehta që u gjetën i përkasin 28-vjeçarit.

Nga kompania ‘Gutu Taxi’ thanë për Sinjalin se thikat në fjalë ishin të pasagjerit që ndodhej në veturë, por që Graniti kishte marrë përsipër fajin.

“Ia kanë gjetë ni shokut të tij, po e ka marrë përsipër ai. Në Vranjevc. Pasagjerë janë kanë. Po të kallëzoj drejt, veç ky njanin e ka njoftë prej Policisë edhe e ka marrë përsipër se e ka ditë se mos ndodh najsen. Për me pshtu pasagjerin ose diçka e ka marrë përsipër”, tha vëllai i Granitit.

Më tej ai tha se nuk shoferi nuk e ka për detyrë që t’i kontrollojë pasagjerët se çfarë kanë në xhepa.

“Ti e sheh që po hyp naj djalë ose naj çikë edhe ti e sheh që po të bon taksimetër, e tarifa të mira, ni shok i joti ose ni shoqe. Ti ki me i majtë qata pasagjerë të cilët janë të mirë për taksimetra e për ksi. Edhe tash ky e ka pasë njo prej tyne ma të ngat edhe tash ky nuk e ka dobi me hallakatë se çka ka në xhepa, se ky është shofer, nuk është polic. Përqata tash kur e kanë nxanë atë shokun e tij edhe ni shoqe e veta që u kanë aty, ata i kanë pasë po ky i ka marrë përsipër”, shtoi më tej ai.

Pas intervistimit të palëve të përfshira në rast, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të hetohen në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.