Lajme

Shkoi në shitore, por s’u kthye më – e mitura nga Mitrovica gjendet duke bashkëjetuar me të dashurin në Gjilan

Bashkëjetesa me vajza të mitura është shndërruar në dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku shpesh raportohen raste kur vajzat e moshave të vogla krijojnë raporte të afërta me persona të moshave madhore. E në shumë raste ato largohen nga shtëpitë e tyre pa dijeninë e prindërve, duke alarmuar kështu edhe organet e rendit të cilat aktivizohen t’i gjejnë ato, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dy ditë më parë në Mitrovicë, ku një vajzë e mitur ka dalë nga shtëpia e saj me pretekstin se do të shkojë në shitore për të blerë diçka, por s’është kthyer më në shtëpi.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se babai i vajzës ka raportuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se e bija nuk po përgjigjet as në telefonin e saj dhe nuk dihet gjë se ku ndodhet.

Pas veprimeve hetimore, e mitura është gjetur në qytetin e Gjilanit, ku ka nisur bashkëjetesën me personin me të cilin deklaron se është në lidhje dashurie.

Bazuar në dëshminë e saj, ajo ka shkuar atje me dëshirën e saj dhe pa qenë nën presion nga askush.