Lajme

Sherri që plasi te ‘HIB’ pas provokimeve lidhur me fenë: Këta janë të dyshuarit që përfunduan në Polici

Gazeta Sinjali raportoi të mërkurën për një rast të përleshjes që ka ndodhur pas mesnate, te restoranti “Hib Petrol” në fshatin Bibaj në Ferizaj, ku pesë persona janë përfshirë në një rrahje, pas një debati që kanë pasur mes vete. Konflikti mes tyre eskaloi edhe në përdorimin e thikës, ku për pasojë dy të dyshuar pësuan lëndime.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që përfunduan në Polici si të dyshuar lidhur me rastin janë: Enis Ramadani, Kushtrim Ballazhi, Festim Kuka, Durim Kuka dhe Haki Bela.

Ramadani, i cili është edhe i dyshuar kryesor lidhur me rastin është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj të dyshuarve të tjerë vetëm është iniciuar rast, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Si ndodhi rasti?

Sinjalizues të Sinjalit që kanë qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur incidenti kanë bërë me dije se i dyshuari Ramadani, është ai i cili është kapur me të dyshuarit e tjerë pas disa ngacmimeve e provokimeve që ka lëshuar ndaj tyre lidhur me fenë.

Debati mes tyre dyshohet se ka vazhduar më pas jashtë restorantit, ku Ramadani ka sulmuar të dyshuarin tjetër Ballazhi, e më pas janë përfshirë edhe të dyshuarit e tjerë, të cilët i kanë dalë në krah këtij të fundit.

Sipas sinjalizuesve, përleshja nuk mbaroi me kaq, pasi i dyshuari Ramadani ka vazhduar me provokimet e njëjta në baza fetare, derisa plasi sherri edhe më tej.

Fillimisht i dyshuari Ramadani është hedhur në sulm me thikë, e më pas është kthyer edhe i dyshuari tjetër Ballazhi, i cili e ka goditur, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar, Policia ka arritur të intervenojë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para dhe më pas është siguruar edhe prezenca e personave të përfshirë në rast.

Rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Ferizaj.

“Pesë të dyshuar meshkuj kosovarë janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete. Gjatë përleshjes është përdoruar edhe një mjet i mprehtë (thikë) dhe janë shkaktuar dëme materiale. Njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa mjeti i mprehtë (thikë) është konfiskuar dhe me vendim të prokurorit një i dyshuar ndalohet në mbajtje, ndërsa të dyshuarit e tjerë pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.”