Lajme

Sherr në një familje në Fushë Kosovë: Vëllezërit rrahen për një kompjuter, përfundojnë në Polici

Konfliktet në familjet kosovare janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë këto raste kanë përfunduar edhe tragjikisht. Mosmarrëveshjet për punë të ndryshme, prona, e për para, por edhe për motive banale i shtyjnë baballarët, vëllezërit e motrat që të përshihen në përleshje të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.

Një incident i tillë ka ndodhur edhe dje, në një familje në Bresje të Fushë Kosovë dhe këtë herë janë të përfshirë dy vëllezër.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar në Polici nga dikush prej familjes së të dyshuarve, me ç’rast u kuptua se dy vëllezërit janë përleshur për shkak të një mosmarrëveshje momentale për një kompjuter.

Njëri prej tyre dyshohet se e ka goditur tjetrin me grushte, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit, palët më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe kanë rrëfyer në detaje se si ndodhi rasti.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj dy vëllezërve të dyshuar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën “Dhunë në familje”.