Sherr mes çiftit në Prishtinë, burri rrah dhe dëbon gruan nga banesa
Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.
Në stacion policor kanë përfunduar dje edhe një çift nga lagjja Kalabria në Prishtinë, pasi gruaja ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 59-vjeçari dyshohet që ka rrahur gruan e tij dhe të njëjtën e ka dëbuar nga banesa ku bashkëjetojnë.
Përballë kësaj situate, viktima ka njoftuar Policinë të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.