Serbia ia dorëzon KFOR-it edhe zyrtartisht kërkesën për dërgimin e trupave në Kosovë
Në Pikë Kalimin Kufitar të Merdarës, KFOR-i ka pranuar kërkesën nga Qeveria e Serbisë për kthimin e njëqind deri në një mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe në territorin e Kosovës, kërkesë kjo të cilën Serbia e bazon në Rezolutën 1244.
Qeveria e Serbisë mbrëmë ka marrë vendim që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, t’i dërgojë kërkesë KFOR-it për kthimin e deri në njëmijë forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës, raporton televizioni publik serb.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë se vendimi është marrë unanimisht, duke theksuar se do të sjellë ulje të tensioneve. Megjithatë, ai vuri në dukje se KFOR-i ndoshta nuk do ta pranojë kërkesën e Serbisë.
“Vendimi është marrë unanimisht dhe është respekt i së drejtës publike dhe është i rëndësishëm për mbrojtjen e popullatës dhe për kontrollin e pikave kufitare. Jemi pothuajse të sigurt që nuk do të pranohet, por presim ta marrim letrën”, theksoi presidenti.
Ai shtoi se kjo është hera e parë që një qeveri e miraton një kërkesë të tillë. “Qeveria e Zoran Xhinxhiqit i kishte dërguar letër Këshillit të Sigurimit, por pa kërkesë formale për kthimin e anëtarëve tanë në Kosovë”.
Ai shpjegoi se është e rëndësishme që kërkesa të jetë formale sepse “kur një ditë të ndryshojnë rrethanat në botë, nuk do të thoshin se nuk e kemi kërkuar kurrë”.
Vuçiqi tha gjithashtu se pret presionin më të madh për shkak të Kosovës dhe se u tha përfaqësuesve ndërkombëtarë se anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Serbinë dhe se mund të diskutohen çështje të tjera.