Serbia e liron Millan Radoiçiq, por ia ndalon shkuarjen në Kosovë
Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.
Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.
Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.
Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Radoiçiq e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve.