Serbët vendosin të largohen nga Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës
Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Në këtë takim – me dyer të mbyllura – kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut, përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë.
Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.