Rriten pensionet, nga nesër pensioni bazë 150 euro
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar buxhetin për vitin 2026, të cilin e ka cilësuar si më të madhin dhe më të pasurin me risi deri më tani, shkruan Insajderi.
Sipas Kurtit, buxheti i ri do të jetë në vlerë prej 4 miliardë eurosh, me rreth 1 miliard euro të dedikuara për investime kapitale.
Një nga risitë kryesore është dhënia e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, e cila do të zbatohet për herë të parë.
“Ky buxhet përfshin edhe zbatimin e rritjes së pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, ndryshe nga më herët kur kjo rritje ishte vetëm 0.25% për 15 vitet e para”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Krahas pagës shtesë, buxheti 2026 përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë dhe lehona, mbështetje për gratë që angazhohen me Superpunë, si dhe finalizimin e reformës së asistencës sociale.
“Rritja do të fillojë nga muaji nëntor, që nis nga nesër…”, tha Kurti gjatë mbledhjes.


 
							 
							