Rrëfimi i sekretarit të shkollës në Ferizaj që u denoncua për ngacmim seksual: Asgjë s’kom bo me to, deshi ta marrë diplomën me para
Sot u raportua për një rast të ngacmimit seksual, që dyshohet se ka ndodhur para pak ditësh në një shkollë të mesme në Ferizaj, ku një zyrtar i shkollës është denoncuar nga ish-nxënësja. Prokuroria ka nisur hetimet për këtë rast ndërkohë që edhe i dyshuari është shoqëruar në Polici.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për sekretarin e Shkollës së Mesme Ekonomike ‘Faik Konica’, Milazim Dërguti.
Dërguti është denoncuar nga një ish-nxënëse e kësaj shkolle, një 27-vjeçare, e cila ka raportuar se ai e ka ngacmuar seksualisht pasi shkoi të marrë diplomën për studimet që kishte përfunduar vite më parë.
Bazuar në deklaratën e viktimës, sekretari Dërguti dyshohet se i kërkoi asaj favore për t’ia paguar mundin që bëri për t’ia gjetur diplomën që kërkonte, e madje dyshohet se edhe e ka prekur në trup.
Si rezultat i denoncimit, Dërguti është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.
Por cili është versioni i sekretarit në lidhje me këtë rast?
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Dërgutin për të marrë versionin e ngjarjes që ka ndodhur më 3 tetor në ambientet e shkollës së Mesme Ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet e 27-vjeçares për ngacmim seksual duke thënë se ajo ka dhënë tri versione të ndryshme me qëllim për ta marrë diplomën e shkollës së mesme.
Sipas tij, 27-vjeçarja i kishte ofruar para në këmbim për ta marrë sa më shpejtë diplomën, ofertë të cilën Dërguti thotë se e ka refuzuar. Më pas, ai deklaron se ish-nxënësja e kishte fshehur faktin se klasën e 10-të ku bëhet fjalë për vitin shkollor 2012-2013-të e kishte kryer në Kaçanik dhe jo në Ferizaj.
“Ajo vajza, grua në fakt, zonjë me një fëmijë të vogël ka ardhur dje rreth orës 10:00 në shkollën tonë me shqyrtu mundësinë me marrë diplomën sepse ka mbetur pa e dhënë testin e diplomës. Ka mbet pa e dhënë testin e brendshëm dhe pastaj unë kur e kam hapur librën amzë, asaj i ka mungu klasa e 10-të. Edhe i kam thënë nuk e plotësoni kushtin sepse nuk e keni kry klasën e 10-të, ku e ke kry këtë klasë? Ajo tha e kam kry këtu (në shkollën “Faik Konica”), e pyeta pse nuk e ki evidencën, rubrika për klasën 10 është e shprazët, e ki vetëm klasën e 11-të dhe 12-të.
Ajo tha përbesë nuk e di çka kanë bërë, unë këtu e kam kry klasën e 10-të. Shkova me marrë ditarin e pash që në ditar nuk është. Pastaj ajo tha në Kaçanik e kam kry shkollën. I thashë shko pra në Kaçanik, merre dëftesën kopjen duplikat, dy t’i bëjmë ne këtu. Ja shkrujta në letër se çka duhet me pas, ja dhashë letren për me shkru këtë listën për provim, ja protokolova dhe ajo shkoj në shtëpi. Më nuk erdh. Pas 3 apo 3 orësh erdhi babai i saj..tash s’e di.. çka ka tentu ajo..
Fillimisht ajo më tha a mund ta marr diplomën me pare. Sepse herën e parë kur erdh më tha kam ardh me marrë diplomën qysh të mundem, a mundem me marrë me pare? I thashë s’di çka po nënkupton me pare, diploma me pare nuk merret, dilploma merret në formë ligjore dhe merret në sistemin e mësimit të përshpejtuar të mësimit joformal e mësim joformal tek ne nuk ka”, tha ai.
Më tej, ai pretendon se 27-vjeçarja ka ndryshuar versionin edhe te familja e saj dhe ka deklaruar se është ngacmuar seksualisht nga Dërguti.
“Ajo ka deshtë me më bind, masandej ka provu variantin e dytë që e ka kry klasën e 10-në në Kaçanik pastaj kur ka shku në shpi çka ka ba një skenar se jam ngacmu prej tij, më ka thënë fjalë jo të duhura”, u shpreh ai.
Pas kësaj ngjarje, sekretari i shkollës thotë se në ambientet e shkollës ka ardhur babai i ish-nxënëses me qëllim për ta kanosur Dërgutin me pretekstin se ky i fundit ia ka ngacmuar seksualisht vajzën.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe sipas Dërgutit, në pajtim me babain e ish-nxënëses janë dakorduar që të mos hapet rasti, pasi sipas tij, babai i 27-vjeçares e ka pranuar se kjo e fundit e ka keqkuptuar situatën.
“Pastaj ka ardh babai i saj më ka kanos në shkollë. Edhe i kam thënë ik nga këtu se do të lajmëroj në Polici për kanosje se unë nuk kam pas asgjë me të. As s’kom thon as s’kom bo sen me to. Pastaj Policia më ka thirrë në ora 15:00 edhe ka thënë babai i vajzës se vajzës ju ka dokë se po ndodhin shumë sene që po publikohen, u mashtru çika se s’kam kurgjo unë me ty. Pastaj shefi i policisë më tha ne mundemi me hapë rast por nëse s’doni nuk e hapim dhe i thashë meqenëse thashë vajza e ka pranu që është sjellë keq, nuk po hapi rast për kanosje.
Me kaq kemi mbyll gjithçka. Pastaj prindi i saj ka thënë se është keqkuptu nga vajza dhe me aq është përfundu gjithçka. Ndërsa në ora 22:00 më ka thirrë Policia regjionale, hetuesit dhe më kanë thirrë me deklaru për këtë rast. Unë e kam librin e amzës me vete, ditarin dhe i kam sqaru se si ka qenë situata. Kjo është e vërteta”, përundoi Dërguti.