Rrëfehet qytetari nga Peja: E kemi ngreh njeriun zhag deri e kemi shpëtu, se ka qenë i palëvizshëm
Mbrëmja e 24 qershorit për shumë qytetarë të Pejës nuk do të harrohet lehtë. Vërshimet e mëdha që i morën jetën dy personave, Dionit 5-vjeçar dhe Mirsadës 26-vjeçare, lanë nga një histori për t’u treguar edhe nga qytetarët e tjerë të cilët e panë rrezikun gjatë atyre momenteve kritike, raporton Gazeta Sinjali.
Haki Rama, një qytetar i Pejës njëherit edhe familjar i dy viktimave tregoi disa detaje nga mbrëmja e rëndë.
Ai tha se një gjendje të tillë në qytetin e Pejës nuk e kishte parë tash e 70 vjet sa i ka jetë.
“Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpijat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë. Pesë pare nuk i jepi për dëme, vetëm që janë hup gruaja me djalin…”, u shpreh ai.
Rama gjithashtu shtoi se kanë arritur që të shpëtojnë një familje, e cila kishte një familjar të palëvizshëm.
“Ne të gjithë kemi vrapu t’i shpëtojmë, bile jam i sëmurë prej këmbës, gati uji më ka çu. Nuk kam mujt asgjë t’i ndihmojë. Vetëm shyqyr i kemi shpëtu një familje aty pranë, e kemi ngreh njeriun zhag deri e kemi shpëtu, se ai ka qenë i palëvizshëm”, tregoi ai./KP/