Lajme

Rrahje mes nxënësve në Vushtrri: Ndërhyn një prind, e rrah brutalisht 12-vjeçarin

Javëve të fundit ka pasur shumë raste të rrahjeve mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme në vendin tonë. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur edhe sot në Vushtrri, ku janë përfshirë në një përleshje fizike disa nxënës të shkollës dhe prindi i një nxënësi, raporton Gazeta Sinjali.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në oborrin e shkollës “SHMU 2”, në rrugën “Ramadan Fazliu” pasi ka përfunduar procesi mësimor, ku fillimisht janë rrahur disa nxënës pas një mosmarrëveshjeje mes vete. Por më pas, ka ndërhyrë prindi i njërit nxënës, i cili lëre që s’i ka ndarë, por e ka sulmuar brutalisht njërin nga të miturit.

Sinjali mëson se Policia është njoftuar për atë që ka ndodhur, me ç’rast i dyshuari është identifikuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim. Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj prindit të dyshuar me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Kujtojmë se raste të tilla kanë ngritur shqetësim të madh te prindërit, që janë alarmuar për sigurinë e fëmijëve të tyre në hapësirat e institucioneve arsimore.