Lajme

Rrahje mes nxënësve afër gjimnazit në Pejë, përdoret edhe thika – dy të arrestuar

Këtë javë janë raportuar plot raste të përleshjeve brutale mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme të vendit, dukuri kjo që po alarmon drejtoritë e këtyre institucioneve arsimore dhe prindërit. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, afër gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë”, ku disa nxënës janë kapur mes vete, me ç’rast dyshohet se është përdorur edhe thika.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se në rast janë përfshirë tre nxënës, 17-vjeçarë, dy prej të cilëve dyshohet se kanë sulmuar një bashkëmoshatar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore. Ngjarja ka ndodhur në mesditë, kur të miturit e dyshuar fillimisht kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Sinjali mëson se posa Policia ka marrë informacionet për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimit është gjetur dhe konfiskuar një thikë, ndërsa viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

I mituri ka rrëfyer para zyrtarëve policorë se si u sulmua nga dy të dyshuarit, të cilët më pas janë kapur nga Policia dhe janë shoqëruar në stacion policor për intevristim. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari kryesor është dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari tjetër është lënë i lirë.

Ndaj tyre, kanë nisur hetimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.