Lajme

Regjistrimi i fëmijëve në çerdhe, komuna subvencionon familjet me nga 70 euro

Komuna e Prishtinës ka hapur sot thirrjen për subvencionim të familjeve të Prishtinës për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private.

Në një konferencë për media të premten, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati tha se subvencionimi do të bëhet në vlerë 70 euro për familjet me të ardhura nën 500 euro.

“Arsyeja pse e kemi thirrur këtë konferencë është për të ndarë me ju lajmin e mirë se kemi hapur thirrje për subvencionimin me nga 70 euro të familjeve të Prishtinës që t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe private”, tha Musmurati, raporton Paparaci.

“Pra, secila familje e Prishtinës që të hyrat financiare i ka nën 500 euro, dhe ka fëmijë të moshës nga 1 deri në 6 vjet, do të subvencionohet”, tha ajo.

Musmurati bëri të ditur se nënat vetushqyese, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve dhe të veteranëve të UÇK-së do të kenë përparësi në subvencionim.