Lajme

Rast i rëndë: Djali i dehur e rrah nënën pas një konflikti, përfundon në pranga

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, i cili ishte i dehur, i njëjti e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i riu është dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si ‘Dhunë në familje’.