Lajme

Rast i dhimbshëm për familjen Behrami në Vushtrri, njoftojnë për vdekjen e vajzës që u aksidentua javën e kaluar

Fakton.info raportoi sot për vdekjen e një 22-vjeçareje, e cila po trajtohej në QKUK pasi ishte aksidentuar javën e kaluar, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Vajza po trajtohej në repartin intesiv që nga 22 dhjetori, teksa sot spitali njoftoi Policinë për vdekjen e saj.

Ky lajm i hidhur ka pikëlluar familjen Behrami nga Vushtrria, të cilët njoftuan për vdekjen e Florentinës në rrjetet sociale.

“Njoftim!

Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot me datë 28.12.2022 ndërroi jetë pas një aksidenti më e dashura jonë Florentina Behrami.

Për varrimin e së ndjerës do të njoftoheni me kohë.”, thuhet në njoftim.

Aksidenti kishte ndodhur në orët e mëngjesit të 22 dhjetorit, ku këmbësorja u përplas nga një automjet në rrugën Prishtinë – Ferizaj dhe pësoi lëndime të rënda, për çka ishte dërguar në QKUK, por fatkeqësisht vdiq.

Pasi Policia mori informacionin nga spitali, njësitë përkatëse dolën në vendin e ngjarjes, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML që t’i bëhet obduksioni.