Raki me Haradinajn e Iftar me ambasadorin turk: Kurti thur disa vargje për muajin e Ramazanit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ishin të ftuar në iftarin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro–Turke.
Nga kryeministria bëjë të ditur se i pranishëm në këtë iftar ishte dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
“Muaji i Ramazanit është muaji i sakrificës dhe i solidaritetit”, tha kryeministri Kurti, teksa shprehu falënderimin për mundësinë që të jetë bashkë në këtë iftar.
Mirëpo para disa ditësh, Kurti ishte i prezent në Gllogjan në 25 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ku bashkë me Ramush Haradinaj, në nderim të kësaj dite, kanë cakërruar gotat me raki.
Fjala e plotë e kryeministrit gjatë iftarit ku ishte i ftuar nga Oda Tregtare Kosovaro-Turke:
Të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër, ju faleminderit shumë që na keni bërë bashkë në këtë iftar në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Ne jemi shumë të gëzuar e të nderuar që jemi në të njëjtën tryezë me të gjithë juve, ndërkaq, këtu fare pranë i kam edhe shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Republikës së Turqisë, z. Angili dhe kryetarin e Odës Tregtare Kosovë – Turqi, z. Balkiz.
Edhe ky iftar në të cilin jemi bashkë është dëshmi e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, të cilët ne gjithmonë përpiqemi t’i forcojmë në çdo aspekt. Më lejoni që ta përshëndes edhe një njeri shumë të veçantë, Skënder Janovën, baba i të cilit ka lind në Janjevë e ky tash jeton në Bajram Pasha të Stambollit. Dhe, nuk e lëshon asnjë shanse që të kthehet në vendlindje e të takohet bashkë me ne.
Muaji i Ramazanit është muaji i sakrificës, edhe i solidaritetit. Zoti ua bëftë kabull të gjithëve. Allahu kabull.