Kryesore

Qeveria përjashton shtesat për punëtorët e sektorit privat

Kërkesën e punëtorëve të sektorit privat për shtesa prej 50 eurosh në muaj e ka përjashtuar të premten ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai insistoi se pakoja qeveritare, e miratuar në shtator, e inkurajon rritjen e përhershme të pagave në këtë sektor. Por, drejtuesi i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat thotë se kjo masë deri më tani nuk ka ndikuar në rritjen e pagave për punëtorët
Punonjësit e sektorit privat kanë shprehur kërkesën që në kuadër të masave për ta luftuar inflacionin Qeveria t’ua alokojë nga 50 euro në muaj, sikur që bën për punonjësit e sektorit publik.

Pakoja e Qeverisë, e miratuar në shtator, parasheh që mbështetja për sektorin privat të bëhet në formën e subvencionimit deri në 50 për qind të punëdhënësve për çdo pagë të rritur të punëtorëve. E subvencionimi do të vlente për tre muaj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i pyetur gjatë një konference për media rreth kërkesës së punëtorëve të këtij sektori për shtesa prej 50 eurosh, tha se nuk do të ketë shtesa të drejtpërdrejta për punëtorët, ngase masa qeveritare e inkurajon rritjen e përhershme të pagave në privat.

“Fitimi i korporatave është më i lartë se që ka qenë ndonjëherë. Ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat. Ne si Qeveri do të insistojmë në këtë. U bëj thirrje që kompanitë private ta shfrytëzojnë mundësinë që e ofron Qeveria për t’i mbështetur në tre muajt e parë, për rritjen e pagës në mënyrë që të rriten pagat edhe në sektorin privat, sepse ka hapësirë”, ka thënë Murati.

Por, drejtuesi i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një përgjigje për KOHËN, tha se kjo masë e Qeverisë deri më tani nuk ka gjeneruar rezultate në rritjen e pagave për punëtorët.

“Deri më tani, sipas të dhënave tona që i kemi nga punëtorët dhe pronarët e kompanive, askush nuk e ka bërë këtë ngritje….. Unë nuk kam asnjë informacion deri më tani që një kompani i ka rritur pagat e punëtorëve për hir të vendimit të Qeverisë”, ka thënë Azemi.

Përfaqësues të kësaj sindikate mbajtën sot një takim me qëllim të organizimit të një proteste për kundërshtimin e asaj që e vlerësuan indiferencë të Qeverisë karshi punëtorëve të sektorit privat.

“Si mund të financohet një punëtor që i merr 800 euro në sektorin publik dhe si nuk financohet një punëtor në sektorin privat që merr një shumë simbolike 200 euro. Ku është barazia apo ku është aspekti social? Duhet t’i themi kësaj qeverie që po na e qitni lakun në qafë neve të varfërve”, ka deklaruar Azemi në konferencë.

Në Sindikatë thanë se për protestën vendimin do të marrin gjatë javëve të ardhshme.