KryesoreLajme

Qeveria mundëson heqjen vullnetare të atyre që s’duan t’i marrin 100 eurot e fundvitit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se shtesat e fundvitit për fëmijë e pensionistë janë mirëpritur nga shumë qytetarë.

Por, sipas tij, ka edhe prej atyre që kanë deklaruar se shtesat e tilla nuk do duhej t’i merrnin sepse nuk kanë nevojë, teksa shtoi se për ta mundësuar heqjen nga lista e përfitimit në mënyrë vullnetare, e kanë përgatitur një formular online.

“Për ta mundësuar heqjen nga lista e përfitimit të shtesës së njëhershme prej 100 euro për fëmijë e për pensionistë, kemi përgatitur formularin online ku secili që dëshiron vullnetarisht të heq dorë, mund ta bëjë këtë për 2 minuta, duke plotësuar formularin në vijim: https://see.rks-gov.net”.

“Jam i bindur që disa deputetë të opozitës dhe disa analistë do të jenë të parët që do ta plotësojnë. Andaj mos hezitoni t’a ndani edhe me ta këtë formular”, shkroi Murati

Vendimi për ndarjen e njëhershme të 100 eurove për fëmijë dhe pensionistë u mor nga ana e Qeverisë të dielën që shkoi.