Lajme

Punëtori në gjendje të rëndë në QKUK/ Ky është menaxheri i kompanisë së ndërtimit që u ndalua për 48 orë

Pak me parë u raportua për një aksident që ka ndodhur në një punishte, në rrugën “Gjergj Balsha” në Prishtinë, ku një punëtor i kompanisë “N.N.T Çlirimi” është rrëzuar nga një lartësi prej disa metrash dhe për pasojë ka pësuar lëndime të rënda. I riu po trajtohet në QKUK, ndërsa tashmë është arrestuar menaxheri i kompanisë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që përfundoi në Polici lidhur me këtë rast është Avdullah Xhema nga kompania “Çlirimi”.

FOTO: Avdullah Xhema

Xhema është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti ka ndodhur në punishten e kompanisë “Dijari Estate” që e kishte nënkontraktuar kompaninë “Çlirimi” për të kryer punime.

Ndryshe, punëtori po vazhdon trajtimin në QKUK, ku iu është nënshtruar operimit për shkak të plagëve të rënda që ka pësuar në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bashkë me Inspektorët e Punës kanë dalë në vendin e punës për t’i kryer ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin.

Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit është iniciuar hetimi për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sinjali ka kontaktuar edhe pronarin e “Dijari Estate”, i cili e ka konfirmuar rastin, por nuk ka dhënë detaje të tjera.