Publikoi foto nga Italia: A po e mbikëqyrë Policia ish-missin që u la në arrest shtëpiak për shantazh ndaj biznesmenit Jemini
Emri i ish-missit Zana Berisha është përfolur shumë këto ditë, pasi Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për aferën në të cilën ajo është përfshirë, nën dyshimet për shantazh ndaj ish të dashurit të saj biznesmen, Isni Jeminit. Ky i fundit dyshohet se ka paguar shuma të majme parash, duke qenë i kushtëzuar nga e dashura me publikimin e fotove dhe videove intime të tyre. Kjo çështje ra në duart e Policisë dhe Prokurorisë, me ç’rast hetimet nisën dhe rezultuan me ndalimin e ish-missit, e cila tash duhet të qëndrojë nën masën e arrestit shtëpiak, raporton Sinjali.
Por a e ka shkelur Berisha masën e sigurisë, të caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë?
Disa orë pas raportimit të Sinjalit, ish-missi u lajmërua në rrjetin social ‘Instagram’, por jo me ndonjë reagim për këtë skandal, por me publikimin e disa pamjeve nga jeta luksoze që bën. Madje, ajo nuk ka ngurruar as ta tregojë lokacionin, gjoja se ku ndodhej atë natë.
Ndonëse fotot mund të kenë qenë të realizuara më herët, kjo ngrit dyshime nëse ish-missi ka arritur ta mashtrojë dhe të mos e respektojë masën e caktuar nga gjykata.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë për të marrë një përgjigje lidhur me verifikimin e zbatimit të masës së arrestit shtëpiak nga Berisha, por nga e premtja akoma nuk kanë kthyer asgjë.
Masa e arrestit shtëpiak duhet të mbikëqyret nga stacioni policor në Prishtinë, të cilët edhe pa kërkesë të Gjykatës, në çdo kohë mund ta verifikojnë zbatimin e kësaj mase. E nëse vërtetohet që e dyshuara e ka shkelur këtë masë, atëherë ndaj të njëjtës do të caktohet masa e paraburgimit.
Seanca dëgjimore ndaj saj është mbajtur më 10 tetor, me ç’rast gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë.
Lexo edhe: Komandanti i KFOR-it takohet në orët e vona me ministrin Sveçla
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, me datë 10.10.2023, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe ndaj të pandehurës Z.B., ka caktuar masën e ARRESTIT SHTËPIAK; në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri me datë 08.11.2023, për shkak të dyshimit zë bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale, Shantazhi nga neni 329, par. 2 lidhur me par. 1 të KP-së.
Me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak, Gjyqtari i procedurës ka gjetur se ekziston dyshimi bazuar se e pandehura ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, dhe kjo vërtetohet nga provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës hetimore.
Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, pasi që e pandehura Z.B., ka qenë e paarritshme kur është kërkuar nga Policia, andaj me qëllim të sigurimit të saj në procedurën hetimore, është caktuar kjo masë.
Gjithashtu, me rastin e caktimit të masës së arrestit shtëpiak, Gjykata ka marrë parasysh fazën fillestare të hetimeve, dhe me qëllim të sigurimit të provave, mos ndikimit në dëshmitarë, dhe parandalimit të përsëritjes së veprës penale, ndaj të pandehurës Z.B., është caktuar kjo masë.“, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Sinjalin.