Publikohen pamjet, momenti kur i dyshuari që vrau të riun në Podujevë shihet duke nxjerrë armën
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Podujevë, ku ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur. Policia tashmë e ka konfirmuar rastin, teksa vdekjen e viktimës e ka kotuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Valmir Breznicën, i cili njihej me nofkën “Dhija”.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me të ndjerin në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo.
Ndërkohë, Raporto24 ka publikuar pamjet, ku shihet personi i dyshuar duke nxjerrë armën, me të cilën vrau më pas të riun.
Lajmin tashmë e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrin veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.
“Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.
Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”