Lajme

Publikohen pamjet e veturës ku u plagos një serb, e që dyshohet se u qëllua nga një polic i Kosovës

Një incident ka ndodhur në orët e vona të së hënës në Zveçan, ku i plagosur mbeti një pjesëtar i komunitetit serb në Kosovë.

Policia e Kosovës njoftoi fillimisht se në këtë incident nuk ka pasur gisht ndonjë pjesëtar i policisë, mirëpo më vonë u vërtetua e kundërta, dhe PK-ja suspendoi katër zyrtarë të saj, njëri prej të cilëve dyshohet se gjuajti në drejtim të serbit.

Ndërkohë, mediat serbe kanë publikuar edhe pamjet e veturës ku dyshohet se u plagos pjesëtari i komunitetit serb.

Nga fotografitë shihet se plumbi ka depërtuar nga ana e prapme e veturës, saktësisht nga dritarja. Dëmtime vërehen edhe në pasqyrat anësore të veturës.

Këtë incident në veri, e kanë pritur me shqetësim Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në reagimin e tij, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se Policia e Kosovës duhet bërë një hetim të plotë dhe kredibil lidhur me rastin, derisa u shpreh i shqetësuar edhe me pakujdesinë që tregoi policia, përcjell Reporteri.net.

Kjo pasi, në njoftimin e Policisë së Kosovës për incidentin, fillimisht u mohua se pjesëtarë të policisë ishin të përfshirë në këtë incident, por më pas u vërtetua e kundërta.

“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.