Lajme

“Pse ma ke këqyrë çikën”/ Detaje nga sherri në Ferizaj që rrezikoi të përfundojë tragjikisht për 27-vjeçarin

ë
Një ngjarje e rëndë e cila ka mundur të përfundojë tragjikisht ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Tahir Meha’ në Ferizaj, ku një person dyshohet se i ka dalë në pritë një 27-vjeçari dhe të njëjtin e ka sulmuar fizikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur sipas dëshmisë së viktimës, kishte shkuar për të marrë motrën e tij në qendrën tregtare e cila ndodhet në magjistralen Ferizaj – Prishtinë.

Në ato momente, ishte paraqitur para 27-vjeçarit një person, i cili e kishte pyetur se përse ia ka shikuar vajzën dhe të njëjtin e ka kërcënuar se mund ta vrasë. Po ashtu i dyshuari në të njëjtën kohë e ka sulmuar fizikisht duke e goditur në gjoks, por për t’i ikur konfliktit, viktima ka deklaruar se është larguar që aty me veturën e tij.

E gjatë kësaj kohe, i dyshuari i është vënë nga mbrapa dhe disa herë ka goditur me veturë automjetin me të cilin po udhëtonte viktima, e ku ndodhej edhe motra e tij.

Në një moment, viktima është ndaluar dhe në atë moment edhe i dyshuari ka zbritur nga vetura dhe e ka kërcënuar duke i vënë armën në qafë. Më të keqen e ka parandaluar një dëshmitar i rastit, mirëpo i dyshuari sërish ka ngrehur këmbëzën e armës dhe ka shtënë në drejtim të viktimës.

27-vjeçari ka shpëtuar mrekullisht me vetëm një vrimë në bluzën e tij dhe me disa lëndime të lehta në qafë, për çka ka marrë tretman mjekësor në Emergjencë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një gëzhojë dhe një plumb të armës që dyshohet se u përdor në rast.

I dyshuari është identifikuar, mirëpo i njëjti s’është arrestuar ende për shkak se menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar në drejtim të panjohur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.