Lajme

Prizrenasi e bën për spital bashkëshorten dhe ik nga shtëpia, 48-vjeçarja kërkon ndihmën e Policisë

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike e bixhoz, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në fshatin Shkozë të Prizrenit, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij.

Sinjali mëson se 48-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra, ndërkohë që ka denoncuar rastin edhe në Polici.

Bazuar në dëshminë e saj, i shoqi e ka sulmuar fizikisht dhe më pas është larguar nga shtëpia. I njëjti është kthyer në shtëpi një ditë më vonë dhe sërish ka pasur sjellje agresive ndaj saj.

Njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 59-vjeçari është ndaluar për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.