Lajme

Prizren, 3 të arrestuar, dyshohet se të uniformuar dhe të armatosur kthyen prapa dy qytetarë

Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar në Prizren, të cilëve pas bastisjes u janë sekuestruar edhe armë.

Për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi ka thënë se ngjarja ka ndodhur dje kur të dyshuarit në fshatin Pouskë, të armatosur, me uniformë i kanë kthyer prapa dy qytetarë.

“Dje me datë 15.01.2023, rreth orës 23:10, dy persona kanë raportuar se derisa ishin duke lëvizur me automjet, në fshatin Pouskë, në Prizren, iu kanë dalë përpara tre persona të armatosur, me uniformë dhe i kanë kthyer prapa. Policia sapo e ka marrë informatën kanë filluar hetimet”- ka thënë Bytyqi.

Togeri Bytyqi ka sqaruar se të dyshuarit kanë qenë me uniformë ushtarake (të gjuetisë). Ata më pas janë arrestuar.

Policia ka kryer edhe bastisje te të dyshuarit, ku janë konfiskuar armë dhe fishekë.

“Nga të dyshuarit janë konfiskuar: një (1) pushkë AK 47, dy(2) pushkë gjuetie, një (1) pushkë e modifikuar, dy (2) pistoleta si dhe municion”-ka shtuar Bytyqi.

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar të dyshuarit janë mbajt në ndalim policor për 48 orë.