Prishtinë: Gruaja me tre fëmijë shkon në strehimore shkaku i dhunës në familje, burri e kërcënon se do ta mbys
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.
Me dhunë sistematike ishte përballur për shumë kohë edhe një grua në Prishtinë, e cila më në fund mori vendimin që ta denoncojë bashkëshortin në Polici.
Sinjali mëson se ajo së fundi është përballur me kërcënime serioze nga bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se e ka kërcënuar me vdekje në rast se ajo largohet nga shtëpia.
Ajo para hetuesve policorë ka kërkuar që bashkë me tre fëmijët e saj të dërgohet në strehimore, pasi që nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me partnerin e saj.
I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.