Prishtinë: 16-vjeçari e sulmon me thikë një person dhe e kanos me armë, përfundon në pranga
Një konflikt mes të rinjve ka ndodhur të martën në orët e mbrëmjes në fshatin Besi të Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali. Përleshja, motivet e së cilës ende nuk dihen ka eskaluar në përdorimin e thikës, me ç’rast lëndime ka pësuar një 19- vjeçar.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një përleshje mes viktimës dhe një personi tjetër, i moshës 16-vjeçare, i cili e kishte sulmuar atë me thikë. Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e kishte kërcënuar viktimën edhe me armë zjarri, çka bëri që dikush ta njoftojë Policisë para se të ndodhte diçka më e keqe.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar personi i dyshuar, teksa arma që u gjet është konfiskuar.
Sinjali mëson se pas shoqërimit në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të miturit për 24 orë, nën dyshimin e se ka kryer dy vepra penale, teksa ende nuk janë bërë të njohura motivet e rastit.
Kujtojmë se mbajtja dhe përdorimi i armëve nga të rinjtë, e sidomos të miturit është bërë një dukuri mjaft shqetësuese, që po rrezikon jo vetëm ata, por edhe sigurinë publike.