Prindërit kërkuan pushim për nxënësit në fillim të janarit, Nagavci merr vendim!
Këshilli i Prindërve të Kosovës ka bërë të ditur se kishte kërkuar që pushimi për nxënësit i caktuar të mbahet nga 27 janari e deri më 2 shkurt të vitit 2023, të mbahet më 4,5 dhe 6 janar.
Mirëpo sipas një njoftimi të premten, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka refuzuar propozimin e tyre, me arsyetimin për procedura administrative.
“E kemi menduar të përshtatshme, e për këtë kemi pasur shumë kërkesa nga prindërit (sidomos nga Prishtina) që të ndryshohet pushimi i fundit të janarit 2023. Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën. Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Por, Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë”, ka shkruar Këshilli në Facebook.
Pavarësisht kësaj, Këshilli ka kërkuar nga prindërit dhe nxënësit që ta respektojnë vendimin e ministrisë së Arsimit, dhe mësimi të vazhdojë nga 4 janari.
“Shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune. Andaj mungesa e nxënësve vetëm jua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, për çka nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar. (Kuptohet që ky fakt nuk mund të krahasohet me mësimin e planifikuar gjatë të shtunave, kur edhe prindërit edhe fëmijët e edhe mësimdhënësit e kishim pushim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Këshillit.