Lajme

Policia për aksidentin tragjik: Tri viktimat në Prizren ishin këmbësorë – arrestohet i dyshuari që humbi kontrollin mbi veturë

Një ngjarje e rëndë mbrëmë tronditi tri familje shqiptare si dhe mbarë vendin. Tre të rinjtë Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj humbën jetën tragjikisht, siç dyshohet, gjatë një gare ilegale me vetura në autostradën “Ibrahim Rugova”, raporton Gazeta Sinjali.

Vdekjen tragjike të të rinjve tashmë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku siç bëhet e ditur tre të rinjtë u goditën për vdekje dhe tre të tjerë pësuan lëndime trupore nga ngasësi i një automjetit që humbi kontrollin mbi veturë.

“Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, teksa hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore.

Sinjalizues të Sinjalit kanë dërguar edhe pamje të frikshme në momentin kur ndodhë aksidenti, ku shihet një veturë teksa e humb kontrollin dhe godet kalimtarët.
Për vdekjen tragjike të Delijajt e Sylës ka reaguar klubi futbollistik “KF Gjakova”, duke bërë të ditur se dikur që të dy viktimat luanin për këtë ekip.

Me këtë rast kryesia si dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave u kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave.

“Lajm i kobshëm për të gjithë ne sonte humbën jetën tragjikishtë dy ishë futbollistët tanë Molos Delija dhe Lordi Syla. Ne si kryesi klubit Gjakova dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave shprehim ngushllimet më të sinqerta dy familjeve DELIA dhe SYLA për humbjen e dy më të dashurve të tyre. Qofshit banorë të Xhehnetit Molos dhe Lordi”, thuhet në reagimin e tyre.