Policia largon barrikadën në Gotovushë të Shtërpcës
Për shkak të plagosjes së një fëmije 11 vjeçar dhe një të riu 21 vjeçar, të dy të nacionalitetit serb, qytetarët në fshatin Gotovushë, në komunën e Shtërpcës, kanë bllokuar rrugën. Në një pjesë të rrugës janë vendosur goma veturash e drunj në mes të rrugës, kurse pak më poshtë janë grumbulluar njerëz duke e bërë kalimin në atë pjesë të pamundshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali se është larguar barrikada në fshatin Gotovushë dhe se gjendja është e qetë atje.
Ndërsa shtuan se janë në përpjekje për ta larguar edhe barrikadën e dytë.
Në anën tjetër Njësia Speciale ka zbarkuar në stacionin policor në Ferizaj, teska edhe kryeprokurori i qytetit ka shkuar në vendngjarje.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar të dyshuarin A.K 33-vjeçar dhe të njëjtit i është konfiskuar automjeti dhe arma me të cilin dyshohet se është kryer vepra.
“Si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari”, thuhet në njoftim.
Përmes një deklarate për media, presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se plagosja e 11 dhe 21-vjeçarit është akt i patolerueshëm dhe kërkoi që autori të vihet para drejtësisë.
Kurse Kryeministri Albin Kurti tha se i dyshuari duhet të vihet para drejtësisë ndërsa u shpreh i brengosur për rastin.
Ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj konfirmoi se i dyshuari është pjesëtarë i FSK-së.