Lajme

Policia kap dy mashtrues të kontratave për punë në Irak, Afganistan e Poloni, përfituan rreth 80 mijë euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona si të dyshuar për veprën penale “Mashtrim”. Sipas njoftimit, të dyshuarit në vazhdimësi kanë mashtruar persona të ndryshëm në regjionin e Ferizajt duke u kërkuar para me qellim të punësimit të tyre në Irak, Afganistan dhe Poloni, ku kanë kërkuar nga viktimat para në vlerë prej 2500 deri në 3000 euro me qellim të sigurimit të kontratës së punës në një kompani.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Sektori për Hetime Financiare pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj me datë 02.10.2023 kanë arrestuar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit” e sanksionuar sipas kodit penal të RKS-së.

Të dyshuarit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje gjatë viteve 2021 – 2022 dyshohet se kanë mashtruar persona të ndryshëm në regjionin e Ferizajt duke u kërkuar para me qellim të punësimit të tyre në Irak, Afganistan dhe Poloni, ku kanë kërkuar nga viktimat para në vlerë prej 2500 deri në 3000 euro me qellim të sigurimit të kontratës së punës në një kompani.
Në bazë të dëshmive të siguruara deri me tani dyshohet se vlera e mashtrimit të përfituar nga të dyshuarit arrin në 80,000.00 (tetëdhjetë mije) euro.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezence të avokateve mbrojtës ku i dyshuari me iniciale (N.L.) me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara (K.L.) është liruar në procedurë të rregullt.