Polici zhvesh uniformën për shkak të pagës së vogël
Kjo situatë, me veshmbathje, rroga e trajtim jodinjitoz, për zyrtarët e Policisë së Kosovës ishte e pranishme edhe më parë.
Visar Rreci i cili shërbeu si polic për 3 vite e u largua nga ky institucion në vitin 2016, tregon se një ndër shkaktarët kryesor pse e zhveshi uniformën zyrtare ishte rroga.
Një nga arsyet ka qenë edhe trajtimi i zyrtarëve policor, angazhimi i madh i punëve, ka qenë punë kolosale që duhet shumë energji për ta kalu pastaj ka qenë edhe mënyra e pagesave, pagave, orëve shtesë pastaj edhe pjesa logjistike nganjëherë edhe uniforma ka qenë në mungesë. Atëherë e kemi tejkalua. Gjallë na ka mbajtë mbështetja e popullit që e kanë pas për Policinë e Kosovës”, tha Rreci.
Gatishmëria për të shërbyer thotë të mos u ketë munguar kurrë, por jo edhe pagesa për orët shtesë.
Natyra e punës ka qenë e atillë se shpesh herë edhe pushimet e rregullta janë ndërpre e lëre më ato të kompensimet, kjo ka qenë edhe një ndër arsyet si një polic është përballë, unë personalisht jamë përballë në vazhdimësi. Nuk kemi mundur me i shfrytëzu as ditët e pushimit, me kalu pjesë të kohës së lirë m familje, shpesh herë e kemi pengu edhe familjen sepse plani ka ndryshu aty për aty. Për shembull ke organizu me familjen një vikend, në ora 23 të premten ka ardhë sms ose thirrja se të shtunën në mëngjes në detyrë dhe krejt familja është dashtë me anulu vikendin, e kështu pastaj nuk ja ka vlejtë as ato orët e kompensimet e ato ditët e pushimit me i marrë”, thotë më tej ish polici Visar Rreci për Betimi për Drejtësi.
Rreci që tani punon si avokat, tregon se ka kontakte me ish kolegët e tij që akoma shërbejnë në uniformë dhe pakënaqësitë i kanë të njëjta me ato të cilat thotë t’i ketë përjetuar edhe vetë. Pakënaqësi këto të cilat qytetarët nuk mund t’i vërejnë në fytyrat e tyre.
“Energjia e policisë është shumë dinamike, qytetarët nuk e kuptojnë që aty ka një vullnet të veçantë për me shërby, edhe në qoftë se ka një mungesë, në fytyrën e policit nuk do ta vëreshë. Në policin që e sheh nuk ke mundësi ta dallosh, mungesat që i kemi pas qytetari i Kosovës nuk ka mujt me i vërejtë, sepse ne kemi dashtë që para qytetarëve me dalë sa më mirë. Sepse siç thashë edhe më herët vetëm vlluneti i këtij populli na ka mbajt sepse pagat që i kemi marrë, pagat që i kemi realizu, realisht nuk na kanë çu askund”, përfundon ai.